Çfarë thotë ligji në lidhje me racizmin?

Zvicra nuk ka ndonjë ligj të posaçëm kundër racizmit dhe diskriminimit. Megjithatë, në Kushtetutën e saj dhe në të drejtën penale, Zvicra e ndalon diskriminimin. Në të drejtën private (kodin civil) ka disa nene që mbrojnë kundër racizmit dhe diskriminimeve.

Përdorimi i termit “racë”

Termi “racë” përdoret shpesh në ligj. Për këtë arsye, edhe ne e përdorim termin “racë”, megjithëse, në realitet, racat njerëzore nuk ekzistojnë. Qeniet njerëzore i përkasin të gjitha një lloji të vetëm.

Por në mendësitë dhe në mendjen e njerëzve, ideja e “racave” ekziston ende.

Është një ndërtim shoqëror. Diskriminimi racor bazohet në këtë ide:

njerëzit nuk janë të barabartë me njëri-tjetrin, për shkak të “racës” së tyre. Edhe pse racat njerëzore nuk ekzistojnë.

Kushtetuta federale

Kushtetuta federale është ligji zviceran më i rëndësishëm. Kushtetuta federale përcakton rregullat kryesore të shtetit. Ajo garanton gjithashtu të drejtat themelore të individëve përballë Zvicrës dhe autoriteteve të saj.

Ajo që është shkruar në Kushtetutë (rregullat kryesore dhe liritë) nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e individëve midis tyre. Ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet e individëve me shtetin. Kushtetuta mbron individët ndaj abuzimeve ose padrejtësive të shtetit.

Kushtetuta federale (Kusht.) thotë: të gjithë individët janë të barabartë para ligjit (neni 8 paragrafi 1).

Paragrafi 2 i të njëjtit nen saktëson: askush nuk duhet të jetë viktimë e diskriminimit për shkak, për shembull, të origjinës së tij, “racës”, gjuhës, mënyrës së tij të jetesës ose bindjeve të tij fetare.

Kodi penal dhe neni i tij 261bis

Kodi penal është një rregullore federale .

Ai përcakton aktet që janë të papranueshme në shoqërinë tonë. Ai parashikon ndëshkime për këto akte.

Të nxitësh njerëzit e tjerë për urrejtje dhe diskriminim është e papranueshme.

Kjo ndalohet nga Kodi penal (KP). Ai dënon:

  • individët që i nxisin të tjerët për urrejtje ose diskriminim kundrejt një individi ose një grupi individësh për shkak të pamjes së tyre fizike (ngjyrës së lëkurës), të origjinës, fesë ose orientimit seksual të tyre
  • individët që shprehin, në mënyrë publike, ide raciste ndaj një individi ose një grupi individësh
  • individët që përçmojnë ose diskriminojnë, në mënyrë publike, një individ ose një grup individësh, për shkak të pamjes së tyre fizike (ngjyrës së lëkurës), origjinës, fesë ose orientimit seksual të tyre
  • individët që thonë në mënyrë publike se gjenocidi (shfarosja e disa popujve) nuk ka ekzistuar ose nuk është diçka shumë e rëndë.
  • individët që refuzojnë t’u ofrojnë shërbime ose mallra një individi ose një grupi individësh, për shkak të pamjes së tyre fizike (ngjyrës së lëkurës), origjinës, fesë ose orientimit seksual të tyre. Ndërkohë që këto shërbime dhe këto mallra janë për të gjithë.

Këto akte janë të ndaluara vetëm nëse kryhen në mënyrë publike. Kjo do të thotë se vetëm nëse individët e pranishëm nuk njihen mirë mes tyre.

Për të dënuar akte të tilla, ndëshkimi mund të jetë me gjobë (para) ose ndonjëherë me burg maksimumi 3 vjet.

Ç’duhet bërë, nëse jeni viktimë ose dëshmitar i racizmit?

Çdo individ, viktimë ose dëshmitar i këtyre akteve, të ndaluara me ligj, mund t’ia sinjalizojë komisariatit më të afërt të policisë. Ai mundet gjithashtu t’ia njoftojë me shkrim prokurorisë ose gjykatësit hetues.

Më pas, autoritetet verifikojnë faktet. Nëse veprat kanë të bëjnë me nenin 261bis të Kodit penal, drejtësia i ndjek drejtpërdrejt autorët e këtyre akteve (ndjekje gjyqësore kryesisht).

Kodi civil

Kodi civil përcakton rregullat e marrëdhënieve ndërmjet individëve. Ai përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilit.

Për shembull, Kodi civil rregullon marrëdhëniet familjare, trashëgimitë dhe kontratat e ndryshme: kontratat e punës, të shitjes, të qirasë dhe të ofrimit të shërbimeve.

Kodi civil siguron mbrojtjen e personalitetit (neni 28 i kodit civil KC dhe neni 328 i kodit të detyrimeve KD).

Ç’është mbrojtja e personalitetit?

Për Kodin civil, mbrojtja e personalitetit është, për shembull: mbrojtja e jetës së individit, respektimi i trupit të tij, mbretja e nderit dhe jetës së tij private dhe elementeve të tjera të rëndësishme për personalitetin.

Një individi i është cenuar personaliteti nga një akt racist? Ai ka të drejtë ta denoncojë autorin e këtij akti para drejtësisë. Ky individ mundet të kërkojë edhe dëmshpërblim.

Një konventë ndërkombëtare kundër diskriminimeve racore

Si vende të tjera, Zvicra ka nënshkruar “Konventën ndërkombëtare mbi eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor”. Duke e nënshkruar, shtetet angazhohen të eliminojnë të gjitha format e diskriminimit racor në vendet e tyre.

Ata angazhohen gjithashtu të nxisin mirëkuptimin midis grupeve të individëve dhe midis “racave”.

Termi “racë” përdoret shpesh në ligj. Për këtë arsye, edhe ne e përdorim termin “racë”, megjithëse, në realitet, racat njerëzore nuk ekzistojnë. Qeniet njerëzore i përkasin të gjitha një lloji të vetëm.

Por në mendësitë dhe në mendjen e njerëzve, ideja e “racave” ekziston ende.

Është një ndërtim shoqëror. Diskriminimi racor bazohet në këtë ide:

njerëzit nuk janë të barabartë me njëri-tjetrin, për shkak të “racës” së tyre. Edhe pse racat njerëzore nuk ekzistojnë.

Shtetet që e kanë nënshkruar këtë Konventë duhet të hartojnë rregullisht raporte. Ata duhet t’i paraqesin Komitetit për eliminimin e diskriminimit racor masat që kanë ndërmarrë për të zhdukur diskriminimin racor në vendin e tyre.

Zvicra e ka nënshkruar Konventën. Edhe ajo duhet t’i hartojë këto raporte.

Kur një individ apo grup individësh është viktimë e racizmit dhe kur këta individë i kanë përdorur të gjitha mjetet e ankimit në Zvicër, pa sukses, ata mund t’i drejtohen Komitetit për eliminimin e diskriminimit racor.

Komiteti ia përcjell më pas situatën vendit në fjalë, pa e përmendur emrin e individit.

Më pas Komiteti i dërgon vendit dhe individit të interesuar një vendim me rekomandime dhe propozime. Kjo sensibilizon vendin dhe njerëzit mbi realitetin e racizmit. Vendi i interesuar nuk është i detyruar t’i ndjekë këto rekomandime. Por gjykatat i përdorin këto rekomandime për të dhënë vendime juridike.

Vendimet e gjykatave si shembuj

Është e rëndësishme të njihen dhe të mblidhen vendimet e gjykatave në lidhje me diskriminimet. Kjo shërben si shembull për situata të reja. Quhet jurisprudencë.

Në Zvicër, Komisioni federal kundër racizmit regjistron në faqen e tij vendimet e gjykatave.

Info-racizëm i Caritas Suisse paraqet gjithashtu vendimet e gjykatave. Ai bën përmbledhje dhe i klasifikon në kategori, si bota e punës, rrjetet sociale dhe mediat, shkolla dhe feja.