Sistemi politik në Zvicër

Pushteti politik në Zvicër funksionon në tre nivele : Konfederata (për të gjithë Zvicrën), kantonet dhe komunat. Zakonisht, zviceranët votojnë 4 herë në vit për të ndikuar në vendimet politike.

Konfederata zvicerane

Konfederata zvicerane, në formën aktuale, ekziston që prej vitit 1848. Kryeqyteti është Berne.

Zvicra është një shtet me shumë kultura, gjuhë dhe fe.

Është një shtet neutral në politikën ndërkombëtare.

Federalizmi

Zvicra është një vend federal, është një Konfederatë shtetesh. Do të thotë që është e përbërë nga disa shtete : kantonet. Kantonet kanë shumë autonomi.

Mund të vendosin vetë për shumë gjëra. Kjo quhet federalizëm.

Ka 26 kantone dhe më shumë se 2000 komuna, secili me organizimin e vet të veçantë.

Për shembull, kantoni i Jura-së ka kushtetutën e vet, qeverinë, parlamentin dhe gjykatat e veta.

Ligjet federale zbatohen për mbarë Zvicrën, por kantonet kanë po ashtu ligjet e tyre. Edhe komunat mund të bëjnë ligje (rregullore).

Kantonet dhe komunat kujdesen për detyra të ndryshme si : arsimi, shëndeti, siguria dhe transportet.

Funksionimi i shkollave, për shembull, mund të jetë i ndryshëm sipas kantoneve dhe komunave.

Konfederata, kantonet dhe komunat mbledhin tatimet për të financuar

shërbimet e tyre. Për shembull shkollat, spitalet, kulturën.

Ndarja e pushteteve

Në Zvicër, pushteti është i ndarë në tri pjesë :

  • Legjislativ (i cili bën ligjet)
  • Ekzekutiv (i cili zbaton ligjet). Ai punon, në mënyrë që ligjet të bëhen realitet në jetën konkrete.
  • Gjyqësor (i cili bën që ligjet të zbatohen)

Pushtetet për tërë Zvicrën (niveli federal):

  • Legjislativ : Asambleja federale. Ajo përbëhet nga Këshilli kombëtar (200 anëtarë) dhe Këshilli i shteteve (46 anëtarë). Anëtarët zgjidhen çdo 4 vjet nga populli
  • Ekzekutiv: Këshilli federal (7 anëtarë të zgjedhur çdo 4 vjet nga Asambleja federale)
  • Gjyqësor : disa gjykata kombëtare. Gjykata federale është instanca më e lartë (gjyqtarët dhe prokurorët zgjidhen nga Asambleja federale)

Pushteti në kantonin e Jura-së (niveli kantonal):

  • Legjislativ: Parlamenti (60 anëtarë të zgjedhur çdo 5 vjet nga populli)
  • Ekzekutiv : Qeveria (5 anëtarë të zgjedhur çdo 5 vjet nga populli)
  • Gjyqësor : Gjykata kantonale (instanca e 2-të), Gjykata e shkallës së parë, Prokuroria dhe Gjykata për të miturit (gjyqtarët dhe prokurorët zgjidhen nga Parlamenti).

Pushteti në komuna (niveli komunal):

  • Legjislativ : Asambleja komunale (ose Këshilli i përgjithshëm)
  • Ekzekutiv : Këshilli komunal (ose bashkiak).

Të drejtat demokratike (marrja pjesë në votime dhe zgjedhje)

Të gjithë zviceranët mbi moshën 18 vjeç kanë të drejtën e votës dhe mund të zgjidhen.

Ata votojnë për çështje politike, zgjedhin përfaqësues dhe mund të jenë kandidatë në nivelin komunal, kantonal dhe federal.

Në kantonin e Jura-së, të huajt, që jetojnë në Zvicër prej 10 vitesh dhe në kanton prej 1 viti, mund të votojnë në nivelin kantonal dhe komunal.

Ata edhe mund të zgjidhen në nivelin komunal (përveçse në bashki).

Iniciativat

Qytetarët mund të propozojnë ligje të reja (iniciativat popullore).

Për këtë, ata duhet të mbledhin një numër të caktuar nënshkrimesh (për Zvicrën: 100’000 nënshkrime dhe për kantonin e Jura-së: 2’000). Më pas, populli mund të votojë mbi këto iniciativa popullore.

Të drejtat themelore (e drejta për jetën, e drejta për mbrojtje, liritë)

Kushtetuta federale është ligji kryesor në Zvicër.

Ajo përshkruan funksionimin e Konfederatës dhe marrëdhëniet e saj me kantonet.

Ajo i garanton të drejta popullit dhe vendos objektivat e politikës zvicerane.

Në Kushtetutën federale janë të shënuara të drejtat themelore si:

le drejta për jetë, ndihma në rast emergjence, mbrojtja kundër çdo forme diskriminimi. Diskriminimi (ose të diskriminosh), është ta trajtosh një person në mënyrë të pa drejtë, për shkak të origjinës së tij, racës së tij, fesë së tij, aftësive të kufizuara, seksit ose orientimit seksual të tij.

Në Zvicër, liria fetare, e opinionit, e organizmit në shoqata dhe e shtypit janë të garantuara.

Bureau de l’intégration des étrangers et de la lutte contre le racisme (Zyra e integrimit të të huajve dhe e luftës kundër racizmit) ofron një shërbim këshillimi për personat viktimë ose dëshmitarë të diskriminimeve në kantonin e Jura-së.