Arsimi i detyrueshëm

Arsimi i detyrueshëm u ofron fëmijëve një formim bazë për të vazhduar studimet e tyre. Shkollat publike janë falas.

Shkallët e arsimit: etapat e ndryshme

Në kantonin e Jura-së, arsimi i detyrueshëm zgjat 11 vjet. Fëmijët e fillojnë shkollën pasi të kenë mbushur moshën 4 vjeç deri më 31 korrik (të lindurit para dhe deri më 31 korrik).

Arsimimi i detyrueshëm ndahet në dy etapa:

  • Shkolla fillore zgjat 8 vjet.

Fëmijët zhvillojnë gradualisht kompetenca në fushat e mëposhtme:

gjuhët e huaja, matematikë, shkenca, arte, sport dhe të jetuar së bashku.

  • Shkolla e mesme (e mesme I) zgjat 3 vjet.

Sipas aftësive të tyre, nxënësit orientohen në nivele të ndryshme të arsimit. Ata zgjerojnë njohuritë e tyre.

Për më tepër, ata bëhen më autonomë dhe përgatiten për një formim profesional.

Po fëmijët me nevoja të veçanta ose me aftësi të kufizuara?

Fëmijët me nevoja të veçanta ose me aftësi të kufizuara inkurajohen dhe mbështeten gjatë gjithë shkollimit.

Po fëmijët me gjuhë amtare të huaj?

Fëmijët që nuk flasin frëngjisht marrin një ndihmë të veçantë.

Shkollat publike / private

Shkollat publike janë falas. Djemtë dhe vajzat janë në të njëjtat klasa. Arsimi nuk është i orientuar sipas fesë.

Shumica e fëmijëve dhe të rinjve ndjekin shkollimin e tyre të detyrueshëm në një shkollë publike.

Në Kantonin e Jura-së ka edhe një shkollë private: St-Charles në Porrentruy.

Nëse dëshironi t’i regjistroni fëmijët tuaj në një shkollë private, duhet ta paguani vetë tarifën e shkollimit.

Regjistrimi i fëmijës tuaj në shkollë

Fëmijët deri 15 vjeç më 31 korrik (të lindur para dhe deri më 31 korrik) shkojnë në shkollën e detyrueshme.

Jeni shpërngulur në një komunë të re, në kantonin e Jura-së?

Fëmija juaj është më pak se 15 vjeç ose 15 vjeç?

Keni mbërritur në komunë, pas një shpërnguljeje? Për ta regjistruar fëmijën tuaj në shkollë, duhet t’i drejtoheni drejtorisë së shkollës të komunës suaj të re.

Fëmija juaj është mbi 15 vjeç?

Duhet t’i drejtoheni Service de la formation postobligatoire (Shërbimit të formimit pas-arsimit të detyrueshëm). Ky shërbim do ta ndihmojë të gjejë një formim.

« Sport-Arts-Etudes » ("Sport-Arte-Studime")

Që në moshën 12 vjeç, të rinjtë që ushtrojnë një veprimtari sportive ose artistike të nivelit të lartë mund të regjistrohen në «Sport-Arts-Etudes » (SAE) (“Sport-Arte-Studime” (SAE). Prindërit duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë Service de l’enseignement (Shërbimit të arsimit).

Të drejtat dhe detyrat e prindërve

Shkolla është e detyrueshme. Nëse fëmija juaj nuk shkon në shkollë pa justifikim apo pa arsye të vlefshme, ju mund të keni probleme.

Fëmija juaj është i sëmurë? Nuk mund të ndjekë mësimet? Atëherë duhet të informoni shkollën.

Duhet të kontrolloni gjithashtu që fëmija juaj i bën detyrat e shkollës.

Është e rëndësishme t’i tregoni fëmijës se interesoheni për punën që ai bën në shkollë.

Është e rëndësishme ta mbështesni dhe ta inkurajoni.

Shkolla ju jep informacione mbi të gjitha temat e jetës shkollore të fëmijës suaj.

Për këtë, ka mënyra të ndryshme: fletorja e javës (fletorja javore), letrat e shkollës ose takimet me prindërit.

Një bashkëpunim i mirë midis jush dhe mësuesve është i rëndësishëm. Kështu, shkollimi i fëmijës suaj shkon mirë.

Pyetje? Keni nevojë për mbështetje?

Për të gjitha pyetjet në lidhje me shkollën, drejtojuni në fillim mësuesit.

Nëse mësuesi mendon se fëmija ka nevojë për diçka ose nëse ka pyetje, edhe ai do t’ju kontaktojë.

Keni vështirësi ose shqetësime të veçanta?

Mund t’i drejtoheni mësuesit. Ai do t’ju orientojë drejt personave kompetentë.

Mund të kontaktoni gjithashtu drejtpërdrejt punonjësin social të shkollës ose Centre d’orientation scolaire et professionnelle et psychologie scolaire (COSP) (Qendrën e orientimit shkollor dhe profesional dhe e psikologjisë shkollore (COSP)).