Rregullat dhe zakonet në Zvicër

Secili vend i ka rregullat dhe zakonet e veta. Edhe në Zvicër ka disa rregulla të pashkruara. Është e rëndësishme që ato të respektohen.

Kulturat e ndryshme

Zvicra është një vend i larmishëm me rajonet e ndryshme të saj dhe me katër gjuhët kombëtare. Mentaliteti dallon sipas rajoneve. Një zakon në Zvicrën romande mund të jetë ndryshe në pjesën gjermane ose italiane të Zvicrës. Dallimet ndërmjet qyteteve dhe fshatrave janë po ashtu të rëndësishme. Por ka edhe zakone të ngjashme për të gjithë Zvicrën:

Përshëndetjet

Në Zvicër, kur përshëndeten, njerëzit shtrëngojnë duart dhe shihen në sy, edhe mes burrave dhe grave. Shpesh përdoret "Bonjour" (“Mirëdita”) si përshëndetje standarde, por ndërmjet miqve, mund të thuhet "Salut" (“Përshëndetje”). Në fshatra, në përgjithësi, njerëzit përshëndeten, edhe nëse nuk njihen.

Është e rëndësishme gjithashtu të thuash "Merci" (“faleminderit”) dhe "de rien" (“s’ka për se”), edhe në dyqane dhe restorante.

Përpikëria

Përpikëri do të thotë: të mbërrish në kohë.

Në Zvicër, në përgjithësi, njerëzit arrijnë në kohë.

Nëse jeni më shumë 5 minuta me vonesë, është e sjellshme të lajmëroni me telefon ose me SMS. Kjo është e rëndësishme sidomos në punë.

Për mbledhjet ose takimet, është më mirë të caktohet ora paraprakisht.

Vizitat pa lajmërim nuk janë të zakonshme, edhe mes miqve.